Kollçaku si gjithëherë, i thur një mori lavdesh qeverisë për menaxhimin e situatës në Deçan

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës se Qeveria Kurti ka menaxhuar me sukses situatën e helmimit në komunën e Deçanit.

Ajo në deklarimet jashtë rendit të ditës, tha se ekzekutivi dhe në veçanti Ministria e Shëndetësisë kanë qenë në dispozicion të plotë për ndihmën me barna, materiale shpenzuese dhe sanimin e dëmeve në Deçan.

“Jo vetëm që kjo ministri u koordinua me gjitha ministritë tjera dhe institucionet, por e gjeti mbështetjen e plotë nga kabineti qeveritar në krye me kryeministrin e Kosovës për të pasur në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme, përfshi ato buxhetore. Meqë rast u ndanë 150 mijë euro për ujësjellësin dhe sanimin e pasojave. Dora e shtetit nuk krijon vizitat dhe shtrëngim duarsh, apo fjalë ngushëlluese në ndonjë foto të shkrepur në vendngjarje, e aq më pak dezinformatat dhe krijimin e panikut përmes mungesës së informatave të pakonfirmuar. Mbështetja e shtetit konsiderohet vetëm ajo institucionale, konkrete që përmirëson situatën përmes ekspertizës në hulumtimin dhe eliminimin e shkakut, sanimin e pasojave dhe ndihmën e barnave dhe material shpenzues”, tha ajo.

Kollçkau lavdëroi edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku tha se me praninë e tij në vendngjarje ndihmat konkrete nuk patën si të mungojnë.