Komandant Hoxha kërkon të thirret nga Gjykata Speciale për të dëshmuar

Ismet Tara, i njohur me nofkën si “Komandant Hoxha” gjatë kohës së luftës, me një shkrim në rrjetin social Facebook, ka reaguar rreth dëshmitarit të Gjykatës Speciale, Predrag Dediq, në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), duke thënë se kjo dëshmi është e përbërë nga gënjeshtra dhe fabrikime.

“Me anë të këtij publikimi me shkrim, dua të hedh poshtë dëshminë e fabrikuar dhe të mbushur me të pavërteta nga dëshmitari i Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Predrag Dedic, i cili ishte ftuar që të dëshmonte ndaj figurave kryesore të UÇK-së, të cilët po gjykohen pa të drejtë për luftën e drejtë dhe të pastër çlirimtare”, ka shkruar Tara.

Ismet Tara ndan qëndrimin e tij në lidhje me rastin dhe thekson se ai është marrë ekskluzivisht me këtë çështje.

Ai tutje ka thënë se ai vetë personalisht është marrë me Dediq dhe asnjëherë ish-krerët e UÇK-së.

“Duke qenë se jam i njoftuar nga afër me rastin dhe e njoh dëshmitarin Predrag Dedic, me plot bindje e them se e gjithë dëshmia e tij është e përbërë nga gënjeshtra, shpifje dhe fabrikime”, vijon ai.

“Për rastin e Predrag Dedic jam marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, ku për 4 orë kam deklaruar vetëm dhe absolutisht të vërtetën rreth rastit që pretendon Predrag Dedic, duke ftuar edhe kundërdëshmitarë si gjenerali holandez, Ton van Loon dhe drejtor i qendrës së OSCE në Rahovec, austriaku Walter Flesher. Deri më sot, nuk ka aktakuzë të ngritur as ndaj meje, as ndaj asnjë eprori apo ushtari të UÇK-se për rastin në fjalë dhe këto gënjeshtra e të pavërteta tani ky dëshmitar me Prokurorinë po ia ngarkojnë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”.

Tutje, Tara ka theksuar se mban përgjegjësi që të përballet me dëshmitarin dhe Prokurorinë në çdo kohë.

“Mbaj përgjegjësinë e plotë për fjalën time publike, si dhe kërkoj nga Gjykata Speciale që të përballem me dëshmitarin dhe Prokurorinë në çdo moment publikisht për të hedhur poshtë një dëshmi të mbushur me gënjeshtra dhe fabrikime siç është kjo e Predrag Dedic”.

“Është e pakuptimtë se si një Gjykatë e votuar nga dora e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, merret me shpifje dhe fabrikime ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që është krenaria e gjithë kombit shqiptar për luftën e pastër dhe të drejtë. Ftoj të gjithë gazetarët dhe mediat vendore e ndërkombëtare se jam i gatshëm të jap intervista për t’i hedhur poshtë gënjeshtrat dhe fabrikimet e paskrupullta të Predrag Dedic”, ka përfunduar Tara.