Komisioni qeveritar Borellit: Serbia t’i hapë arkivat për të zhdukurit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i udhëhequr mga Andin Hoti, i është drejtuar me një letër Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell. Në këtë letër komisioni i kanë treguar Borrellit se i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i hapn arkivat e tyre.

“Së bashku me shoqatat e familjeve të të zhdukurve të Kosovës, i kem bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat e tyre, pasi që zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti, si dhe leje për gërmime në varrezat e identifikuara e të shënuara në Serbi”, shkruan në komunikatë.

Ndër të tjerash në komunikatë thuhet se që 4 muaj prej miratimit të Deklaratës pë Personat e Zhdukur nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej Serbisë, ndonëse më 1 qershor i kanë dërguar kërkesë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor.

“Me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, ku përfshihen të zhdukurit me forcë, të nënshkruar më 2 maj 2023, Serbia ka marrë angazhime të vonusra prej kohësh. Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 01.06.2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor, duke përfshirë por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre dhënia e qasjes së plotë në këtë material do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me forcë në rajonin e Drenicës.

“Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve të saj rrezikon përpjekjet tona të përbashkëta për të bërë përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve tona dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve”, thuhet tutje në komunikatën e tyre.