Komuna e Pejës: Dalja e qytetarëve në Rugovë për piknik, sjellje e gabuar

Komuna e Pejës ka thënë se dalja e qytetarëve në grykën e Rugovës për piknik, në kohën kur vendi dhe e tërë bota po përballen me koronavirusin, është sjellje “plotësisht e gabuar”.

Në një njoftim dërguar mediave, kjo Komunë thotë se “koronavirusi nuk duhet të luftohet vetëm nga mjekët, policët dhe inspektorat! Kjo betejë i takon secilit qytetar”.

“Sot ishim në monitorim në gryken e Rugovës. Pamë me mijëra qytetarë që kishin dal në piknik! Ishin në grupe nga 5, 10 e 15 persona. Ishin familjarë, grupe rinore e grupe të moshuarish! Duke e pasur parasysh situatën që ndodhemi, kjo që pamë ishte një situatë jo e mirë. Kjo që pamë është sjellje plotësisht e gabuar, në kundërshtim me vendimet e qeverisë. Kjo sjellje kontribuon fuqishëm në shpërndarjen e virusit, rrjedhimisht ka pasoja me infektimin e personave dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve! Kjo situatë nuk duhet të përsëritet”, ka thënë Komuna e Pejës.

Më tej, Komuna ka ftuar qytetarët që ta marrin seriozisht rrezikun që e sjell COVID-19!

“Ju ftojmë që secili qytetar të kontribuojë në fushatën për zhdukjen e virusit! Mos lejoni që të shpërndahet virusi, punoni të gjithë që ta ruajmë shëndetin”, ka përfunduar Komuna e Pejës.