Qeveria ndan një milion euro për N.P. “Trepça”

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese (elektronike), të 44-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike të datës 28 shtator 2020, ka bërë të ditur Zyra për Komunikim e Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se me këtë rast, mjetet e ndara në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nënprogramin Ndërmarrësia, në shumën prej një milion euro, transferohen në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”, në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe do të përdoren për mbështetjen e N.P. “Trepça”.