Komunat duan rimbursim të mjeteve të humbura pas kontratës kolektive, e padisin MAShTI-n

Sipas kontratës kolektive ndërmjet SBAShK-ut dhe MAShTI-t të nënshkruar në vitin 2017, mësimdhënësëve të Kosovës u takojnë shpërblime jubilare dhe shtesa të shujtave.

Mirëpo, kjo kontratë është shkëputur njëanshëm nga Ministria e Arsimit në dhjetor të vitit të kaluar.

Edhe pse çështja ka mbetur ende pezull, megjithatë, shtesat mësimdhënësëve janë detyruar t’ua japin komunat, që sipas Drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, janë dëmtuar shumë.

Në një intervistë për emisionin KIKS Kosova, Ibrahimi pohoi se komunat nuk janë kundër kontratës por kundër asaj që pasojat financiare po i bartin vetë ato. Andaj, asociacion e ka paditur MAShTI-n.

“Procesi është në gjykatë, ka disa komuna që kanë pranuar informacione nga gjykata që kanë thënë që këto lëndë janë dërguar në Gjykatën Komerciale dhe po e presim verdiktin. Komunat kërkojnë vetëm rimbursimin e mjeteve që janë marrë si pasojë e nënshkrimit të kontratave kolektive”, tha, ndër të tjera, ai.