Konjufca: Nëse Presidenti nuk e nënshkruan shkarkimin e ambasadorëve, e çoj në Kushtetuese

Kryediplomati Glauk Konjufca po raporton në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme. Ai thotë se nëse presidenti Hashim Thaçi nuk e nënshkruan dekretin e shkarkimit të 7 ambasadorëve, atëherë do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese.

Ministri Konjufca i shpreh mirënjohje ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Citakut që, sipas tij, e lexoi saktë ligjin dhe e pranoi tërheqjen nga misioni diplomatik.

Ndërkaq, Konjufca thotë se siç e sheh ai ligjin, Presidenti i vendit nuk mund t’i vëjë veto dhe duhet ta nënshkruaj dekretin e shkarkimit.

“Nëse ai tenton të vëjë veto, atëherë mund ta konsideroj dërgimin e tij në Kushtetuese”, ka thënë Konjufca, raporton T7.

Konjufca ka shpjeguar pse i shkarkoi 14 konsujt dhe pse po kërkon largimin e 7 ambasadorëve, përfshirë edhe Vlora Citakun që është ambasadore e Kosovës në Uashington.

“Në MPJ ka pasur shumë emërime të paligjshme në shumë funksione, edhe si shefa të misioneve diplomatike. 14 konsujt e shkarkuar kanë qenë krejtësisht jashtë procedurave ligjore, pa konkurs. Propozimin për tërheqjen gjashtë ambasadorëve dhe një konsulli, e kam bërë në përputhje me ligjin ku thuhet se nuk parashihet një mandat i dytë për të emëruarit politikë në pozitën e ambasadorëve”.