Konjufca: Unë mendoj që Hashim Thaçi është i pafajshëm

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se ai mendon që Hashim Thaçi është i pafajshëm.

Këtë deklaratë e dha kur u pyet se pse kreu i subjekti që ai përfaqëson, Albin Kurti, i dërgoi letër Gjykatës Speciale me kërkesë që Rexhep Selimi të lirohet me kusht dhe aty nuk u përfshinë edhe individë të tjerë që ndodhen duke u gjykuar atje.

“Kurti iu drejtua si parti politike për shefin e grupit parlamentar. I është drejtuar që Selimi si shef i ka kryer detyrat me përgjegjësi”.

“Ata e kanë dalluar vetveten, p.sh. prokuroria i ka tre fakte shumë rënda kundër Thaçit, siç është letra e Pompeos, ku ka thënë se duhet të shpërbëhet Gjykata Speciale, e tash prokurori thotë se ‘ky njeri i ka shkruar njërit prej njerëzve më të fuqishëm të botës me na shpërbë neve’”, tha ai.

Tutje, Konjufca theksoi se të gjitha këto nuk janë gabimet as të Kurtit, Hotit apo Kosovës, por sipas tij janë të Thaçit, gjersa ka shtuar se ky i fundit është i pafajshëm për veprat që po dyshohet nga Gjykata Speciale.

“Të gjitha këto nuk janë gabime as të Kurtit, as të Hotit e as të Kosovës, por janë gabime të Thaçit që s’e di pse i ka bërë e s’ka pasur nevojë me i bë. Besoj që dikush e ka këshilluar që mos me i bë, por siç duhet e ka bërë prej panikës e frikës”.

“Unë mendoj që ai është i pafajshëm, por po tregoj se çka ka menduar prokurori”.

“Albin Kurti i drejtohet për deputetin e vet, e Avdullah Hoti duhet t’i drejtohet për të katërtit”, përfundoi Konjufca në Klan Kosova.