Kosnett: Arrini marrëveshje me Serbinë, SHBA’të gjithmonë do të qëndrojnë prapa Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, ka deklaruar e bllokimi i dialogut nga Qeveria Haradinaj nuk i ka ndihmuar Kosovës në aspektin ekonomik dhe në pozicionin e saj ndërkombëtar.

Kosnett ka deklaruar se bllokimi i dialogut vetëm se i prishi punë shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por ka një mesazh për Qeverinë e re Kurti që t’i jep një infuzion të ri negociatave me Serbinë.

Ai ka thënë se SHBA’të do të qëndrojnë gjithmonë prapa sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, por duhet të arrihet një marrëveshje me Serbinë që të ketë integrim të plotë në sistemin ndërkombëtar.

“Pauza në dialog nuk i ka ndihmuar Kosovës në aspektin ekonomik apo pozicionin e saj ndërkombëtar. Kur ajo të formohet, qeveria e re duhet t’i japë një infuzion të ri negociatave me Serbinë. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë prapa sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, por, siç tha edhe Përfaqësuesi Special Matt Palmer së fundmi në Prishtinë, ne nuk mund të shohim një shteg për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa përfshirjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë në të. Marrëdhëniet më të mira me Serbinë nuk do të zhvendosin vëmendjen nga përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës, por do t’i plotësojnë ato” ka thënë Kosnett, për Telegrafin.

Po ashtu Kosnett ka bërë thirrje Vetëvendosjes si partia fituese dhe partisë që po dëshiron koalicion, Lidhjes Demokratike të Kosovës, të formojnë sa më shpejtë Qeverinë e re dhe mos të humbin kohë duke zvarritur procesin.