Kosnett: SHBA mbështeti NATO-n për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë

0
345

Në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-së mbi caqet serbe, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinovojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe të nxjerrin para drejtësisë ata që kanë kryer krime të luftës.

Ambasadori amerikan, përmes një videomesazhi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

“Para 20 viteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të NATO-s ndërhynë për të ndaluar një katastrofë humanitare që po ngjante në Kosovë. Ky përvjetor na bën të reflektojmë për koston njerëzore të konfliktit atëherë dhe të dhimbjes që aq shumë njerëz e bartin ende. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën përdorimin e domosdoshëm dhe legjitim të forcës nga ana e NATO-s si mjeti i fundit për ti dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Milloshqeviqit, pas dështimit për përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për zgjidhje paqësore”, thuhet në mesazhin e ambasadorit, njofton kumtesa.

“Shtetet e Bashkuara vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Ne vepruam për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në rajon. Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose fetare, e meritojnë të jenë të lirë dhe të sigurt”, tha ai.

“Në këtë përvjetor, i përkujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm që u dëbuan nga shtëpitë e tyre, si dhe mijëra të tjerë që u lënduan apo u zhdukën. E kujtojmë dhe e vajtojmë tragjedinë e çdo jete të humbur. Dhe nuk duhet të ngurrojmë për ta kuptuar se trauma fizike dhe psikologjike vazhdon të jetë barrë e mijëra viktimave dhe pjesëtarëve të familjes”.

“Prandaj, sot, përveç reflektimit, kërkoj veprim. I nxis qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë që të sigurohen që viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha nacionaliteteve dhe bashkësive – të kenë qasje të plotë në informata për fatin e atyre që ende nuk janë gjetur. Si dhe iu bëj thirrje të dy qeverive që ti përtërijnë përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat e krimeve të kohës së luftës”, thuhet tutje në mesazhin e Kossnet.

Pasi sipas tij, vetëm duke u përballur drejtpërdrejt me të kaluarën, popujt e Kosovës dhe Serbisë mund të shpresojnë për të ndërtuar shoqëri ku të gjitha bashkësitë jetojnë së bashku në paqe dhe dinjitet.