Kosova mposhtet nga Greqia në Prishtinë

Kosova është mposhtur në shtëpi nga Greqia me rezultat 1 – 2 në kuadër të Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Kosova nuk ka arritur të fitojë, por as të nxjerr barazim në ndeshjen e dytë të grupeve.

Pas barazimit me Moldavinë, Kosova humbi nga Greqia në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë nga të dyja skuadrat, me Kosovës që pati posedim më shumë, por me Greqinë që gjeti golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e tretë dhe ishte Dimitrios Limnios, i cili shënoi për 0-1 pas një reagimi të dobët në mbrojtje.

Kosova pati rastet më të mira në këtë pjesë me anë të Arbër Zeneli (11’), Atdhe Nuhiu (11’), Besar Halimi (45’) dhe Amir Rrahmani (45’), por në disa raste u ndalën nga portieri dhe në disa tjera topi shkoi jashtë.

Në pjesën e dytë përsëri u zhvillua lojë e barabartë, por me grekët që ishin më konkret duke gjetur edhe golin.

Goli i grekëve erdhi pas vetëm gjashtë minutave në këtë pjesë dhe përsëri ishte një reagim i dobët i mbrojtjes dhe Dimitrios Siovas shënoi për 0-2.

Pas këtij goli, Bernard Challandes bëri tri ndryshimet dhe këto zëvendësime ngjallën lojën dhe shtuan sulmet e Kosovës.

Pas disa tentimeve, Kosova gjeti edhe golin në minutën e 84-të dhe ishte Bernard Berisha, i cili shënoi supergol me gërshërë për 1-2 pas një topi të kthyer nga portieri.

Pas kësaj fitore, Greqia udhëheq Grupin 3 në Ligën C me katër pikë, po aq sa ka Sllovenia e dyta, ndërsa Kosova renditet e treta me një pikë.

Në ndeshjen e radhës,Kosova luan në shtëpi ndaj Sllovenisë më 11 tetor, ndërsa Greqia e pret Moldavinë.