Kosova sot feston 15-vjetorin e Pavarësisë

Të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Për nder të kësaj dite të veçantë, 15 vjet më pas, ceremonitë do të fillojnë me mbledhjen festive të qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa do të pasojë edhe ngritja e Flamurit shtetëror në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë.

Agjenda e festës së pavarësisë nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës e cila do të mbahet nga ora 08:00, ndërsa në ora 08:20 do të jetë ngritja solemne e Flamurit të Kosovës, e në orën 08:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve.

Në agjendën për festën e Pavarësisë është paraparë që krerët e shtetit të bëjnë homazhe tek varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova në ora 08:45 e në ora 08:50 homazhe do të bëhen edhe tek varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

Po ashtu, në ora 08:50 homazhe do të bëhen edhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kurse në orën 10:30 do të ketë interpretim të Filarmonisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Në ora 11:00 do të ketë seancë Solemne në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në ora 11:20 do të bëhen nderime te Monumenti i policëve të rënë në detyrë, kurse në ora 11:30 do të bëhen nderime edhe tek Monumenti “Heroinat”, njofton Klankosova.tv.

Kurse, në ora 12:00 do të bëhet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

E, në ora 16:15 do të bëhet ndezja e 1,133 qirinjve para Teatrit Kombëtar në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, kurse në ora 17:00 është planifikuar pritja shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kurse, përmbyllja e agjendës festive me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është paraparë të jetë me koncertin që do të nis nga ora 20:15 në sallën “1 tetori”.