KPK: Deklaratat e deputetit Selimi përbëjnë gjuhë kërcënuese

0
425

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj një deklarate të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

KPK konsiderojnë se deklaratat e deputetit Rexhep Selimi, të dhëna në emisionin “Imazh”, në RTK, më datën 5 prill 2019 dhe gjuha e përdorur ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit, përbëjnë një gjuhë kërcënuese, të papranueshme dhe tejet tendencioze dhe kanë për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi.

“Ia kujtojmë deputetit Selimi, por edhe tërë opinionit publik se pushteti gjyqësor është pushtet i veçantë dhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit janë institucione kushtetuese, unike, të pavarura dhe të paanshme, të ndërtuara mbi parimet kushtetuese dhe ligjore. Prandaj, deklaratat e tilla janë në kundërshtim me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Prokurorit të Shtetit”, thuhet ndër të tjera në reagim.