KPK dhe Prokurori i Shtetit: Informacionet e deklaruara sot nga kryeministri Kurti janë të pasakta dhe tendencioze

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të dhëna në një konferencë për media të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.

KPK dhe Prokurori i Shtetit kanë shprehur shqetësim lidhur me deklaratat, që siç thonë janë të pamatura dhe të paverifikuara.

“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

“Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokuroria”.

KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit në raportet e tyre thonë se për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri më tani janë parashkruar katër raste.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale”.

“Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokuroria”, thuhet në reagim.

Kurti ka thënë se në 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale, viktimat kanë qenë vajza të mitura.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë”, ka thënë Kurti në konferencë sot.

“KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

“Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”.