KPM: Organet e drejtësisë të zbardhin rastin e zyrtarit të dyshuar për marrje ryshfeti

Është arrestuar të martën A.B, drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave, me dyshimin e marrjes së ryshfetit në vlerë prej 8 mijë euro me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor.

Pas arrestimit KPM nëpërmjet një komunikate, ka ftuar institucionet që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinionin publik por edhe brenda këtij institucioni.

Ky institucion shpreh gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot është njoftuar jozyrtarisht se një zyrtar publik i Zyrës Ekzekutive të KPM-së është ndaluar mbrëmë nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, nën dyshimin për veprën penale – marrje ryshfeti”.

“Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së.KPM shprehë gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit”, njofton Komisioni i Pavarur i Mediave.