KQZ e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme

Pas ftesës nga Gjykata Speciale, Ramush Haradinaj dje dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit. Ai tha se s’mund të shkojë me këtë pozitë, por do të intervistohet si qytetar i Kosovës.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të reja, ai u shpreh se për këtë vendos presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Zgjedhje të reja po kërkon edhe opozita, madje sot kryetari i Lëvizjes Vetëndosje, Albin Kurti, në një konferencë për media paralajmëroi se partia e tij dhe LDK do të shkojë me një listë të përbashkët, derisa ftoi presidentin Thaçi të caktojë datën.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, për Indeksonline tha se KQZ është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet. – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat që dalin sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Nëse do të ketë zgjedhje apo ajo tutje ai tha se nuk është nën përgjegjësitë e KQZ-së.

Ndryshe, Neni 97, pika 5 e Kushtetutës së Kosovës e përcakton edhe situatën në të cilën momentalisht ndodhet vendi. Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

Pra, sipas Kushtetutës vendi mund të mos shkojë në zgjedhje, por vetëm ta zëvendësojë Kryeministrin.