KQZ-ja certifikon kandidatët për zgjedhjet në veri të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar kandidatët për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të vendit: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga katër kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.

Kandidatët e certifikuar të PDK-së janë Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut). Kurse, kandidatët e certifikuar të Vetëvendosjes janë: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).

Aleksandër Jabllanoviq është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.

Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq.

Në këto zgjedhje, është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviq, e cila garon për kryetare të komunës së Zveçanit.