Pas dënimit të serbit nga Gjykata në Prishtinë reagon Haxhiu: Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 10 vite burgim, Zoran Vukotiq, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

Pas shpalljes së aktgjykimit ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu deklaroi se ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët dhe për historinë e të ardhmen e Kosovës.

“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë!”, shkroi Haxhiu.

Sipas aktakuzës së ngritur, Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.