KQZ-ja i përgjigjet serbëve për peticionin: E keni gabuar adresën

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se u ka kthyer përgjigje serbëve në lidhje me peticionin e tyre rreth kërkesës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.

Valmir Elezi, në një përgjigje për Front Online, ka thënë se parashtruesit e peticionit janë njoftuar se kërkesa e tyre është dërguar në adresë të gabuar.

“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë Elezi.