KQZ sot fillon rinumërimin e votave në 313 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të fillojë rinumërimin e 303 vendvotimeve.

Ky vendim i KQZ-së vjen pas rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj, ka treguar për parregullsitë gjatë procesit të numërimit.

“Në QNR një numër i rezultateve nuk ka mundur të procedohet siç ishte ndërrimi i shiritave apo edhe mospërputhjet me faqe. Në i kemi dërguar në karantinë dhe i kemi bashkangjitur raportet. Ky raport thotë se duhet patjetër te nunërohet. Në disa vendvotime mungon përputhja me fletëvotime”, tha Ahmetaj.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se formularët janë shtypur gabimisht.

Ajo tha se sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën, shkruan EkonomiaOnline përcjellë Klan Kosova.

“S’po flitet për manipulim, por për një gabim teknik që ka ndodhur, për shkak të shtypjes së gabueshme të formularëve. Duhet të deklarohet publikisht e të mos fshihemi. Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme. Sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Janë shpërndarë të njëjtit formularë dhe të njëjtit e kanë pasur gabimin teknik që subjektet të cilat ishin të renditura në fletëvotimin, dhe në formular, por subjektit të parë i mungon rubrika. Për rrjedhojë të kësaj, disa komisionarë të cilëve iu ka ndez llamba, i kanë shkruar me saktësi, por disa të tjerëve që s’iu ka ndez llamba kanë vazhduar nga subjekti i dytë dhe kanë krijuar një huti”.

” Përfundimisht, QNR i ka zbuluar 303 vendvotime deri më tani, të cilat janë plotësuar në këtë mënyrë. Si përfundim, këto formularë, qoftë sot, pas një muaji, s’mund të procedohen si të tilla sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Kemi rekomandim për rinumërim të 303 vendvotimeve në tërësi”, ka thënë Daka.

Vetëvendosje ka kërkuar shtimin e anëtarëve në QNR. Nga katër vëzhgues sa janë në QNR u kërkua që ky numër të dyfishohet në tetë.

“Në radhë të parë subjekteve u lejohen që t’i kenë më shumë se katër vëzhgues. Kërkohet shtimi i vëzhguesve në QNR. Nga 4 vëzhgues sa janë tani të rritet ky numër dhe të bëhet në tetë. Kjo dmth jo detyrimisht, por varësisht nga dëshira e partive. Gjithashtu të bëhet edhe një gjë që mos të fillojë rinumërimi i kutive pa pasur një vëzhgues të partive në tavolinë”.