KQZ: Të gjitha vendvotimet në veri janë hapur me kohë

Në veri të Mitrovicës janë hapur shtatë qendrat e votimit, ashtu siç edhe janë paraparë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e parë ka njoftuar lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut se fletëvotimet dhe të gjitha materialet e ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve.

Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi po zhvillohet në rregull.

“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fletëvotimet dhe të gjitha materialet tjera të ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve. Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha vendvotimet e këtyre komunave janë hapur në orën e paraparë, pra në orën 7:00. Duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull”, ka thënë Elezi

Sipas tij, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues.

“Në këto katër komuna, numri i qendrave të votimit është 44 me gjithsej 87 vendvotime.
Ashtu siç kemi bërë të ditur edhe në komunikimet e ditëve të kaluara, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017″, ka thënë ai.

Elezi u ba bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejt vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”.Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga tri subjekte politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto katër komuna ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Ndërkaq, numri i vëzhguesve të akredituar nga ana e KQZ-së dhe të cilët do të mund të përcjellin votimin është rreth 500 vëzhgues.

Këta vëzhgues përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, dy zyre ndërlidhëse, 12 ambasada, dy organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, katër organizata jo-qeveritare vendore dhe 16 shtëpi mediale.