Serbët tubohen afër kufirit me Kosovën, KFOR-i vendoset në Jarinjë

Trupat e KFOR-it janë vendosur në Jarinjë, derisa në anën tjetër të kufirit janë mbledhur ekstremistë.

Protesta është thirrur nga dega në Serbi e grupit famëkeq paramilitar rus Wagner.

Organizatori i protestës, Damjan Knezheviq tregoi qëllimin.

“Ne kemi ardhur për të treguar se ekzistojmë dhe për të vazhduar barrikadat. Nuk e pranojmë asnjë marrëveshje që është nënshkruar pas Rezolutës 1244”, tha Knezheviq.

Sipas “Kossev” përmes rrjeteve sociale është lënë një takim “me qëllim të zhbllokimit të kalimit për serbët” nga Kosova.

“Kossev” raporton se ata do të vijnë nga Mali i Zi, Republika Srpska dhe Serbia, e që si orë e takimit është dhënë ora 13:00.

Kujtojmë që sot është dita e nëntë e barrikadimit të Veriut, pasi serbët lokalë vendosën kamionë e makineri të rëndë në disa rrugë.

Këtë veprim ata e morën pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.

Ndërsa sot KFOR-i ka njoftuar se ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë.

Kështu, KFOR-i synon të përgatitet për të reaguar ndaj krizave. Sipas komunikatës së lëshuar, në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.

“Stërvitja synon t’i trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur kolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim.