Krasniqi: Albin Kurti i ka mbyllur dyert e shkollave, po refuzon të takohet me Rrahmanin por jo me Vuçiqin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sonte, në emisionin “Contex” në ATV, ka thënë se ai që i ka mbyllur dyert e shkollave është pikërisht Kryeministri Kurti.

Refuzimi i tij për të takuar Rrahman Jashar, ndërkaq që takohet me Aleksandër Vuçiqin, është krejt e pakuptueshme.

“Refuzimi për takim nga ana e Kryeministrit është refuzim për të mos u takuar me askënd. Ai nuk po refuzon vetëm kur po e thërrasin të takohet me Vuçiqin. Pse bën të takohesh me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë e nuk bën të takohesh me Rrahman Jasharaj e SBASHK-ut? Ky është udhëheqësi që e kanë zgjedhur SBASHK-u, edhe nëse nuk i pëlqen Albin Kurtit. As mua nuk më pëlqen Kryeministri i Kosovës por e kanë zgjedhur qytetarët – duhet me respektu. Ashtu siç duhet ta respektojmë zotëri Hykollin, që është udhëheqës i BSPK-së. Në momentin kur i refuzon për takim, e çka është më e keqja, tenton me zhvendosë konfliktin duke i nënçmuar në mënyrën më të egër, për mua është problem”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, lideri i PDK ka thënë se tendenca me e reduktu dhe thjeshtëzu grevën, atë që e bën mirë Albin Kurti, është tendencë për të mos kryer punë dhe për të ndryshuar njërën palë.

“Pse ka ndodhur greva? Kjo është pyetja. Pse ka ndodhur greva? Ajo që kemi dëgjuar nga BSPK-ja, qoftë nga SBASHK-u apo sindikata e administratës publikë është se nuk ka dialog social. Ka një refuzim të plotë nga ana e kryeministrit për të diskutuar me grupet e interesit, në këtë rast edhe në sindikatë. I njëjti njeri që gjithmonë i ka mbështetur, duke u thirrur si social-demokrat, dhe që ka deklarime që iu kanë shfaqur këto ditë se ka qenë eksplicit në mbështetje të tyre, e tash ka refuzim edhe për ti takuar”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i PDK-së foli edhe për shantazhin, siç e quajti ai, që Qeveria u bëri komunave dhe punëtorëve të administratës duke u kërkuar listat e grevistëve. Ndërkaq, sipas tij, nuk po ua ndalë pagat 199 serbëve që marrin pagë nga Qeveria pa dalë asnjë ditë në punë.

“Tendenca me i shantazhu sindikalistët përmes ndaljes së pagave është tendencë e pambajtur mend që nga vitet 90-ta. 199 qytetarë të komunitetit serb i paguan Qeveria e Kosovës pa dalë në punë asnjëherë. Rreth 1 milion euro. Pse nuk ua kërkon atyre listat. Kjo Qeveria e ndryshimit po del vetëm për të keq. E kjo Qeveria e ndryshimit i kërcënoi shqiptarët deri me datën pesë, duke ua kërkuar listat për tua hequr meditjet nga pagat. Shantazh për muajin e ardhshëm, që nëse qëndrojnë tërë muajin në grevë, të mos kenë mjete të paguajnë kreditë, të mos mund ti blejnë rrobat për fëmijët e tyre, ushqimin për familje etj. Ata i ka kërcënuar. E 199 serbët e Veriut? E ata pse nuk po i pyet kur vini ju në punë? Pse nuk kërkon Albin Kurti dhe Hekuran Murati evidencë për punën e tyre? Është e padrejtë! Mbi të gjitha, është jo njerëzore. Edhe në të kaluarën ka pasur greva, ligjet kanë qenë të njëjta. Askujt nuk i ka shkuar as ndërmed ti shantazhoj. Ne jemi duke kërkuar që tua rrisim pagat, jo tua zvogëlojnë”, ka thënë Krasniqi.

Duke folur për Ligjin për Pagat i cili po proklamohet nga Qeveria se do të vijë së shpejti, Krasniqi ka thënë se as kjo nuk është zgjidhje për dimrin e vështirë që po i pret qytetarët tanë.

“Ligji për pagat kërkon minimumi 1 vjet në skenarin më të mirë. Ne jemi duke pyetur se çka të bëjnë qytetarët në këtë dimër? Kur Albin Kurti ua ka rritur tarifat e rrymës për 200 për qind ndërkaq çmimet e produkteve ushqimore janë shumëfishuar. Çfarë të bëjnë ata këtë dimër, jo pas një viti”, ka thënë ai.