Krasniqi: Kurti t’u drejtohet qytetarëve dhe të shmanget përshkallëzimi

Kryetari dhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për zhvillimet e fundit që ndodhën sot në veri të vendit, ku Lista Serbe dha dorëheqje nga gjitha Institucionet e Kosovës.

Krasniqi thotë se zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje” u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, Krasniqi kërkon nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.

Sipas Krasniqit, situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident.

“Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, përfundoi ai.