Krasniqi pas takimit me Ramën: I domosdoshëm thellimi i bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur vullnetin e tij të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, për çfarë u pajtuan me Ramën për forcimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve.

“Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët”, shkruan Krasniqi.