Krasniqi për mosvotimin e komisionit hetimor: Kurti mund ta vonojë, por jo ta ndalojë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me mosvotimin e komisionit hetimor të iniciuar nga kjo parti, tha se kryeministri Albin Kurti përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, po mundohet ta bllokojë miratimin dhe themelimin e këtij komisioni në lidhje me energjinë elektrike.

Kreu i opozitës tha se bllokimi nga ana e shumicës parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shkelje brutale e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nga mazhoranca dhe qeveria Kurti.

“Albin Kurti përmes deputetëve të Vetëvendosjes për herë të dytë e bllokoi miratimin dhe themelimin e komisionit hetimor në lidhje me rrymën në vend duke shkelur hapur ligjin dhe kushtetutën, gjë që është bërë traditë e kësaj qeverie. Përkundër insistimit për ta mbajtur të fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë, arroganca e numrave të pushtetit, nuk mund ta mbajë të fshehur të vërtetën e cila do të dalë në dritë”, tha Krasniqi.

Krasniqi më tej u shpreh se është evidente që Qeveria Kurti po bën çdo përpjekje të mundshme për ta pamundësuar hetimin që e ka kërkuar PDK, me mbështetjen e deputetëve tjerë të opozitës, dhe shtoi se partia të cilën e drejton, do të përdorë çdo mjet demokratik për ta zbardhur të vërtetën lidhur me keqpërdorimet e bëra në periudhën e krizës energjetike.

“Këta kanë ditë të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t’i lejojmë të rrënojnë edhe parimet e demokracisë së shtetit tonë. Hetimi parlamentar është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që ju takon deputetëve. Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojnë, por nuk do të mund ta ndalojnë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që jane subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t’i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin.”, tha Krasniqi.

“Kurti po bën çdo përpjekje për të pamundësuar hetimin që e kemi kërkuar ne si PDK me mbështetjen edhe të deputetëve të opozitës. Çka janë duke fshehur nga opinioni publik që me kaq bindje po e shkelin ligjin dhe kushtetutën vetëm për të pamundësuar nxjerrjen e së vërtetës në dritë?. Çfarë krimesh po mbrojnë me këtë insistim kundër këtij komisioni? Pse kryeministri Kurti po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove të taksave të qytetarëve për KEDS-in, hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të rrymës nga ZRRE, punësimet familjare dhe partiake në KEK, blerjen e rrymës me çmime më të larta se të tregut gjatë dimrit, shitjen e rrymës me çmime më të ulëta se të tregut e shumë shkelje e parregullsi tjera? Cila është arsyeja për bllokimin e këtij komisioni që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani. Kjo është vetëm përpjekje për ta fshehur të vërtetën. Këta kanë ditë të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t’i lejojmë të rrënojnë edhe parimet e demokracisë së shtetit tonë. Hetimi parlamentar është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që ju takon deputetëve. Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojnë, por nuk do të mund ta ndalojnë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t’i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.