Krasniqi-pushtetit: Astritin e patën për fushata elektorale, e kur ato u kryen, nuk u duhet më

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi thotë se PSD-ja ka paralajmëruar se kryeministri Albin Kurti, edhe pa ardhur akoma në pushtet, nuk do ta zbardhte rastin e Astrit Deharit.

Krasniqi thotë se tash e dy kanë kërkuar drejtësi për këtë rast, por “asnjë gur nuk është lëvizë prej Qeverisë Kurti për ta zbardhur çështjen”

“Çdo ditë që po kalon, po dëshmohet pa dyshim, që le që këta nuk do të sjellin drejtësi, por edhe do ta sabotojnë atë. Sepse nuk u konvenon. Astritin e patën për fushata elektorale. E kur ato u kryen, nuk u duhet më”, shkroi ai në Facebook.

“Përveç përkujtimeve hipokrite tek varri i tij. Por ne s’do t’i lëmë të qetë, pa e sjellë drejtësinë. #drejtesiperAstritin”, përfundoi Krasniqi, reagimi i sëcilit erdhi pas disa pretendimeve të deputetit të LVV’së, Haki Abazi, i cili me anë të një konference për media tregoi se ka videoincizime që dëshmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

Ai kërkoi që Prokuroria Speciale të vihet në lëvizje për t’i marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Audioincizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Parlamentit. Videoincizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari…IML është i monitoruar 24-orë nga kamerat dhe dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për ministren Haxhiu është që të kryejë punën e saj si ministre, që e ka obligim para qytetarëve… Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlije Balaj dhe Flutura Goga-Bajramin”, ka thënë ai, të enjten.

Por, ai sipas njoftimit të Prokurorisë, do të jetë zyrtari i radhës që do të merret në intervistim nga ky institucion i drejtësisë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet aty.