Limaj: Osmani s’duhet ta ftojë opozitën në takim, Kurti duhet ta bëjë

118

Sipas kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Kurti e ka humbur shansin në Bruksel dhe Ohër dhe ai ka shans që të dalë tani para qytetarëve dhe të tregojë se marrëveshja është e keqe dhe të ulet për një marrëveshje tjetër që nuk e dëmton funksionalitetin e shtetit tonë.

“z.Kurti për mua e ka humbur shansin kryesor në Bruksel dhe në Ohër. A ka gjasa ende? Ka. Nëse z.Kurti del u thotë qytetarëve të Kosovës “jo, kjo marrëveshje është e keqe dhe nuk kam asnjë siguri për këtë marrëveshje”, Kosova mund të shpëtojë nga kjo marrëveshje. Por, z.Kurti është e kundërta, ai është duke kalkuluar gabimisht për mendimin tim, zhagitja nuk është përgjigje dhe kështu nuk bën të sillet me miqtë tanë, me partnerët ndërkombëtarët, zhagitje, kalkulime, shtyrje, hajt se ndoshta nuk e bën ky, e bëj unë, e bën ai, kështu nuk bëhet politika në vendin tonë. Nëse ne e kemi bindjen siç e kam unë bindjen e kanë edhe të tjerët, se kjo marrëveshje është e keqe. Z.Kurti e ka obligim edhe për vendin, para 51 për qind votuesve e 100 për qind qytetarëve të Kosovës, por edhe para miqve, duhet të dalë dhe të thotë “më falni, nuk ka zbatim kjo marrëveshje sepse e shkatërron shtetin, e bën funksional shtetin tim”, jofunksionale bëhet Kosova. E çka pra? Unë jam i gatshëm të ulem për një marrëveshje tjetër. Të ulet dhe të gjejë një marrëveshje që nuk e dëmton funksionalitetin e shtetit tonë. Që të jem i qartë, unë kurrë nuk i sugjeroj kryeministrit të vendit tim që të largohet nga dialogu, ai gjithmonë duhet të jetë por duhet të ruajë funksionalitetin e shtetit”, thotë ai për BlicInterview.

Limaj ka folur edhe për paralajmërimin e ftesës së presidentes për opozitën lidhur me draft statutin e Asociacionit, pasi këtë duhet ta bëjë Kurti dhe jo Osmani.

“Çdo marrëveshje që e ruan funksionalitetin e shtetit unitar të Kosovës, Kosova duhet të jetë aty që ta pranojë. Por, kjo prish funksionalitetin e shtetit dhe të njëjtën gjë Kurti t’ia kërkojë edhe opozitën, jo përmes mësitve siç po e shoh tash, por drejtpërdrejt t’ia kërkojë, jo që po i thërret përmes tjerëve…Po përmes presidentes. Kushtetuta thotë që njeri kryesor për dialog është kryeministri, çka është kjo me shku te presidentja, duhet kryeministri, zyra është e kryeministrit, ai duhet ta thërrasë opozitën dhe t’i kërkojë mendim të qartë për këtë punë, se cili është qëndrimi i tyre lidhur me këtë. Unë i shoh, ata duhet të jenë të qartë, nuk i ikin përgjegjësisë kështu. Nëse dëmtohet Kosova, bashkë përgjegjësinë e njëjtë e kanë si kryeministri”, deklaron Fatmir Limaj.

Ai shton se opozita s’mund t’ia ndërrojë mendjen Kurtit, por e kritikon për mos qëndrime të qarta lidhur me Asociacionin.

“Nuk po them që duhet t’ia ndërrojnë mendjen kryeministrit sepse s’munden por duhet t’i kenë qëndrimet e qarta, qëndrimin duhet ta kenë të qartë, në bazë të qëndrimit ne e vlerësojmë. Unë nuk kam mundësi të ndikoj te kryeministri i vendit tim, unë nuk kam mundësi ta ndryshoj votën në Parlamentin e Kosovës, por kam mundësi ta kem mendimin e qartë timin edhe të partisë sime. Kështu duhet opozita ta ketë qëndrimin e qartë”, vlerëson ai.

Limaj pyet se si pretendojnë të jenë kryeministër në të ardhmen liderët e opozitës, nëse ata presin që të gabojë Kurti dhe t’ia lënë fajin atij.

“Nëse ata mendojnë që le të gabojë Albini dhe ne pastaj e kapim Albinin, kryeministër i cilit vend do që të bëhesh ti nesër, i një Kosove që e ka Asociacionin a, e çka do të thuash? Jo, unë s’e kam bërë, e ka bërë ky, sikur ta që po thonë. Ti e ke dëmin aty. A e ndale? Çfarë përpjekje ke bërë për ta ndalë. Çfarë përpjekje ke bërë si kryeministër i ardhshëm i Kosovës për ta ndalë këtë të keqe që i është bërë Kosovës? Pse s’del të thuash qartë cili është qëndrimi i partisë tënde? Çka është kjo me miqtë ndryshe, me popull ndryshe?”, thekson kreu i Nismës.

Ai e quan hipokrizi derisa thotë se opozita po pranon të keqtrajtohet nga ndërkombëtarët, derisa draftin e morën nga emisarët, të cilët ndërrohen.

“Hipokrizi sa të duash. Nga kush e kanë marrë këta draftin? Nga kryeministri jo. E kanë marrë nga emisarët. Qysh po e lejoni veten kështu me iu trajtu, për vendin tënd? Emisarët janë me mandat, ata shkojnë dhe më pas i ligjërojnë kujtimet e tyre në shumë libra, ne do të jetojmë me këto marrëveshje, fëmijët tanë do të jetojnë me këto marrëveshje. Si mund të jesh ti nesër kryeministër i këtij vende kur ke lejuar të trajtohesh kështu, të keqtrajtohesh”, shton ai.

Limaj potencon se Nisma është për një Asociacion me njohje reciproke por nëse duhet kompromise, duhet të kemi njohjen nga 5 vendet e BE-së dhe anëtarësim drejtpërdrejt në NATO.

“Duhet të dilet me qëndrim, si ne. Nisma Socialdemokrate është për një Asociacion me njohje reciproke. Kompromis, po, le të na njohin 5 vendet e BE-së dhe anëtarësim drejtpërdrejt në NATO. Ne po kërkojmë siguri për këtë vend, për fëmijët tanë. Nuk ka shpresa që në Serbi për 10 vitet e ardhshme po na vijnë forca demokratike. Që 3 vite vetëm me këtë temë po merremi me dialog, me asgjë tjetër, s’ka kapacitet ky vend më shumë, na ikën të rinjtë, Kosova po zbrazet sepse temë kryesore nga mëngjesi deri në darkë është kjo”.

Sipas tij, Asociacion e defunksionalizon shtetin e Kosovës, ky Asociacion nuk është për të drejtat e serbëve por është një synim i serbëve për territor.

“Duhet thënë me zë të lartë: Jo zotëri, ky Asociacion e defunksionalizon shtetin e Kosovës, ky Asociacion nuk është për të drejtat e serbëve por është një synim i serbëve për territor, përkufizime territoriale, jo të drejta të individëve, por të drejta territoriale në një pjesë të Kosovës, ku Serbia legalizohet edhe ushtarakisht, edhe financiarisht, edhe në çdo drejtim që ta ketë zërin e saj dhe vendimmarrjen në një pjesë të territorit të Kosovës si territor, por çka është më e keqja te kushtëzimet kushtetuese”, thotë Fatmir Limaj.