Krasniqi-Qeverisë: 100 eurot që ua dhatë qytetarëve, ua morët pas dy ditësh me fatura të rrymës – ky është krim i organizuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, ka thënë Krasniqi.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të japë përgjegjësi.

“Jam i bindur se ky është krim i organizuar, jam i bindur se shumica prej jush nuk jeni në dijeni. Kjo është skemë kriminale në krye me Martin Berishajn, e kjo nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit. Kjo do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.

Në seancën e jashtëzakonshme sot në Kuvendin e Kosovës, është prezantuar propozim-rezoluta e PDK-së në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Deputeti Ferat Shala kërkoi që të miratohet kjo rezolutë, e cila përmban pesë pika:

Pika e parë rekomandon anulimin e vendit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;”.

Pika e dytë e kësaj rezolutë parasheh heqjen e bllok tarifës,.

“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;”, deklaroi Shala.

“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024”, është pika e tretë e rezolutës.

Në pikën e katërt parashihet që Qeveria e Kosovës të obligohet për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.

“Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj resolute”, është pika e pestë e rezolutës.

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli Kosovë ka çmimet më të lira në në rajon dhe Evropë.