Krasniqi: Rusia po do që të përfshihet në dialog për faj të presidentëve dhe kryeministrave tanë

Ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke komentuar raportimet se Rusia dëshiron përfshirjen në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo po ndodhë për faj të presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës.

Në një shkrim autorial, Krasniqi thekson se politika kosovare çdo ditë është duke i shkaktuar probleme vendit, e që janë vështirë të riparueshme, përcjell Periskopi.

“Sot, më 13 maj 2020, mediet tona (portalet) po shkruajnë se edhe Rusia e Putinit kërkon të jetë pjesë e bisedimeve politike Kosovë-Serbi. Ata nuk kanë faj pse e kërkojnë këtë, pasi, faji nuk është i tyre, pse “është hapur kutia e Pandorës”. Kjo kuti pa asnjë arsyeje politike i ka hapur çështjet e bisedimeve në mes të Prishtinës e Beogradit zyrtar, me fajin e Presidentëve e Kryeministrave të Kosovës. Dhe jo vetëm që janë hapur, por shtetit të Kosovës, përditë po i shkaktohen probleme të mëdha vështirë të riparueshëm. Pa dyshim përgjegjësin më të madhe në këtë katrahurë politike i ka Presidenti i sotëm i Kosovës dhe partitë politike që e mbështeten në këtë proces kontrovers“, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, në këto bisedime, Kosova i kishte tri e më shumë arsye të mëdha që mos të hynte fare:

Kosova dhe Serbia nën drejtimin e Përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe nën mbikëqyrjen e Grupit të kontaktit, në vitin 2007, i patën përfunduar Bisedimet e Vjenës, ku secila palë i pat shtyer kërkesat e veta e në fund pala serbe dhe Rusia nuk u pajtuan.

Kur përshkak të vetos ruse në KS për ta njohur Pavarësinë e Kosovës, Bota perëndimore (BE – SHBA) e zgjodhen rrugën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovë. Pra shpallja u bë në koordinim të plotë të Kosovës më SHBA-të dhe BE-në, më 17 shkurt 2008. Dhe

Pas këtij veprimi, Serbia GJND-së i ka dërguar një pyetje për Kosovën: “Se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës a është në përputhje më drejtësinë ndërkombëtare?”. GJND-ja më 22 korrki të vitit 2010, ia kthen përgjigjen Serbisë se: “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.” Institucioni profesional i OKB-së, “GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ka sthënë ish kryeparlamentari.