Krasniqi: Të votohet rezoluta për mbështetjen e policisë, vetëm LVV po e kundërshton

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se subjekti politik që e drejton e ka thirrur seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet nesër për të miratuar Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se grupet parlamentare të LDK-së dhe AAK-së e kanë mbështetur këtë nismë, pos LVV-së që e ka kundërshtuar.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht pas 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror – andaj nuk mund ta pranojmë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojmë duarkryq”.

“Prandaj, nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm”.

“I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë!”, ka thënë Krasniqi.