Krejt çka dihet për ngjarjen tragjike në Prishtinë: Një i vrarë dhe dy të plagosur, të dyshuarit në arrati

Disa të shtëna me armë zjarri kanë trazuar mbrëmë banorët e rrugës ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë. Një konflikt mes disa personave përfundoi tragjikisht për Egzon Hazirin, rreth 30-vjeçar, i cili humbi jetën pas plagëve të marra nga goditja me armë zjarri. Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona tjerë, përfshirë një kalimtare të rastit.

Mbrëmë u raportua lidhur me ngjarjen e rëndë, ku sipas sinjalizueseve, fillimisht bëhej fjalë për dy persona të plagosur.

Por më pas u mësua se pos viktimës Haziri dhe kalimtares së rastit, i plagosur ka mbetur edhe një person që ndodhej me tashmë të ndjerin.

Vdekjen e të riut e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije për Sinjalin se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën, ndërsa i plagosuri i dytë është në gjendje stabile.

Ndërkohë lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët pohuan se po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Momentalisht nuk raportohet për persona të arrestuar, e as nuk është arritur që ata të identifikohen.

“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.