“Krejt dhe drejt”, rehatohet në KEK edhe një asamblist i LVV-së, ia ndalojnë komunikimin me mediat

Korporata Energjetike e Kosovës po vazhdon të jetë një “mashë” punësimi për partinë në pushtet.

Pas skandalit me konkursin gjigant të nepotizmit e bazave partiake i cili po hetohet edhe nga Prokuroria, përsëri po vazhdon punësimi i militantëve e zyrtarëve të LVV-së në këtë korporatë.

Rashit Gashi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, në pozitën e auditorit.

Kjo pasi ai ka qenë i dyti në listën e publikuar pas intervistimit. Këtë e ka konfirmuar javën e kaluar vetë, Gashi i cili ka thënë se personi që ka qenë i pari në listë pasi është pranuar në punë ka refuzuar atë e që arsyeja duket të jetë se “ka një punë tjetër ku paguhet më mirë”.

E duke qenë i dyti në listë sipas Gashit është ai i cili pranohet në këtë pozitë dhe i ishin kërkuar nga KEK-u të gjitha dokumentet e nevojshme.

“Jo për momentin jam në proces, për çfarëdo që të kish më shkruaj në email. Jam kanë në intervistë dhe po e pres rezultatin. Në fakt është pranuar tjetër kush por unë jam i dyti në listë, me gjasë ai ka refuzu. Nuk e njoh kundër kandidatin më duket Breznica e ka pasë mbiemrin. Tash një ditë kish qenë në KEK dhe kish refuzu, pasi që është pranu. Kish pasë diku pagë ma të mirë a ku e di kish thanë që s’mundet me vazhdu. Tash sipas rregullores vazhdon kush është i dyti, mi kanë kërkuar të gjitha dokumentet që duhen dhe jam në pritje të përgjigjes. E kom dërguar dokumentacionin në burime njerëzorë në KEK dhe më shumë s’kam informata”, kishte deklaruar javën e kaluar Gashi.

Po ashtu ai ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si asamblist në komunën e Prishtinës, menjëherë pasi i janë kërkuar dokumentet pra me datën 11 korrik.

Derisa kishte shtuar se është ftuar në Korporatën Energjetike me 17 korrik. I kontaktuar sot nga Gazeta Infokus, Gashi nuk ka pranuar të tregojë më shumë detaje mirëpo e ka konfirmuar punësimin e tij duke thënë se “në pozitën të cilën jam aktualisht e kam të ndaluar prononcimin për mediat, kështu që për çdo gjë kontaktoni zyrën për informim të KEK-ut”.

Pra Korporata Energjetike e Kosovës pasi ka pranuar në punë asamblistin e Vetëvendosje i ka ndaluar atij komunikimin me mediat.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje edhe ne KEK në lidhje me këto deklarata por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.