Kreu i PDK-së zotohet për kushte më të mira dhe paga dinjitoze për punëtorët

Kryetari i PDK-së, Memli krasniqi është zotuar për kushte më të mira të punës fhe paga dinjitoze, ndërsa ka shprehur mirënjohje për rolin e punëtorëve në shoqëri.

“Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai tha se duhet angazhim konkret për ta tejkaluar sfidën e madhe të emigrimit masiv.

“Si shtet e si shoqëri ende s’kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon. Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve”, shkroi ai.

“Urime 1 Majin të gjithë punëtorëve në Republikën e Kosovës!”, shtoi Krasniqi.