Kristiano Ronaldo kalon çdo limit, ylli portugez vrapon si i çmendur drejt rekordit

Dëshira për të shënuar e bën Kristiano Ronaldon që të kalojë çdo limit. Edhe atëherë kur ndeshja thuajse është fituar nga skuadra e tij, portugezi gjen forcën që të bëjë një sprint të frikshëm për të gjetur golin.

Kundër Specias arriti që të nisej nga mesfusha për të ndjekur një aksion, për të cilin kishte intuitë se do të ishte i rëndësishëm. Objektivi i radhës për të është Romario dhe kjo është rruga për të mbërritur te Biçan. Me golin kundër Specias, sulmuesi i Juventusit arriti kuotën e 767 golave në karrierë duke barazuar Pelenë.

Në pritje për ta parakaluar, ndoshta që të shtunën me Lacion, CR767 tani kërkon të arrijë 772 golat e Romarios dhe pastaj 805 golat e Biçanit. Duke e parë se çfarë është i aftë të bëjë në fushën e lojës, gjithçka duket çështje kohe. Le të provojmë të bëjmë llogaritë se kur Kristiano Ronaldo mund të bëhet lojtari me më shumë gola në historinë e futbollit.

LLOGARITË- Ronaldo në këtë sezon shënon thuajse 1 gol për ndeshje, pra ka shënuar 27 gola në 30 ndeshjet sezonale, 20 nga 21 ndeshjet në Serinë A.

A do t’i dalin 5 ndeshje për të shënuar 5 gola? Kundërshtarët janë Lacio, Porto, Kaljari, Napoli dhe Benevento.

Nëse llogaritim ndonjë pushim të mundshëm, objektivi nuk shkon më shumë sesa derbi kundër Torinos. Po Biçan kur mund të arrihet? Prej 5 sezonesh, Ronaldo është duke shënuar nga 43 në 48 gola për vit. Kjo do të thotë se sezonin e ardhshëm sportiv ai e nis me objektivin për të shënuar 15-20 gola për të arritur Biçanin. Pra në dhjetorin e vitit 2021 ai mund të festojë. A do të jetë nën “pemën” e Krishtlindjeve të Juventusit? Mbetet për t’u parë.

Javë pas jave dhe ndeshje pas ndeshjes ai rrezikon që të bëjë normale diçka që në fakt është jashtëzakonisht e vështirë për të tjerët. Kristiano Ronaldo jo vetëm shënon, por luan rregullisht dhe nuk ka dëshirë që të ndalet kurrë.

Kundër Specias luajti ndeshjen numër 600 në karrierë (llogariten vetëm kampionatet). Ai u bë lojtari i parë në histori që ka shënuar të paktën 20 gola në 12 sezonet e fundit në 5 ligat kryesore në Europë. Me Lacion dhe Porton rritet niveli, por kush mund ta trembë sulmuesin e Juventusit? Askush. Ai luan si në oborrin e shtëpisë së tij. Objektivi i radhës është të parakalojë Pelenë dhe të arrijë Romarion.

PANORAMASPORT.AL