Kriteret dhe mënyra e aplikimit për kompensimin e mësimdhënësve të viteve ’90-ta

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi i ka nënshkruar udhëzimet administrative për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta. E pas këtij nënshkrimi, punëtorët e arsimit që kanë punuar nga viti 1990 deri në 1999 në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, së shpejti do të fillojnë të shpërblehen nga shteti.

Kështu punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.

Në udhëzime janë specifikuar edhe kushtet e kriteret dhe mënyra e aplikimit për të realizuar të drejtën për kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip.

Kush nga punëtorët e arsimit janë përfituesit e këtij shpërblimi?

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka paraparë që në këtë kategori të jenë përfitues personat të cilët kanë punuar në arsimin shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998-99.

Konsiderohet që viti shkollor 1998/99 ka përfunduar më 31 tetor të vitit 1999.

Sipas udhëzimeve administrative të nxjerra nga MAShT, përfitues janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesional, drejtori dhe zëvendësdrejtori, personeli administrativ, si dhe të punësuarit e arsimit të lartë sipas sistemit të arsimit shqip.

Në anën tjetër Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka paraparë edhe afatin për realizmin e të drejtës në kompensim shtesë.

Sipas MASHT, të drejtë për realizmin e kompensimit kanë të gjithë personat që tashmë janë në pension dhe do të përfitojnë nga data e pensionimit të tyre, sipas ligjit bazë për pensione.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin:

Dokumentet valide të domosdoshme për njohjen e së drejtës në kompensim, janë letërnjoftimi i Republikës së Kosovës, mandej ekstrakti i lindjes, ekstrakti i kurorëzimit dhe ekstrakti i vdekjes, në rast se ka vdekur përfituesi i këtij kompensimi dhe bashkëshorti ose bashkëshortja që e realizon të drejtën,

Mandej duhet pasur vërtetimin e përvojës së punës, vendimin e pensionimit për ata që janë përfitues të pensionit, përveç atyre që kanë vdekur pa dalë në pension.

Duhet plotësuar aplikacionin për kompensim shtesë, si dhe të paraqitet llogaria bankare.

Sipas këtyre udhëzimeve, obligohet që çdo shkollë, fakultet ose institucion tjetër edukativo-arsimor, që sipas kërkesës së palëve të lëshojnë vërtetim për DKA, Rektoratin, lidhur me përvojën e punës në arsimin e viteve 1999.

Ku mund ta paraqisni kërkesën për aplikim?

Të gjithë përfituesit e këtij kompensimi, kërkesën e tyre për aplikim duhet ta paraqesin në zyrat e pensioneve përkatëse në komunën më të afërt të vendbanimit të palës.

Kuvendi e miratoi në muajin shkurt 2019

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës në ditën e fundit të muajit shkurt e miratuan në lexim të dytë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999. Kjo edhe i hapi rrugë MAShT-it që të bëjë nënshkrimin e udhëzimeve me të cilët tani fillon pagesa.

Rreth 10 mijë përfitues

Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.

Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.