“Kritikat e Kurtit drejt KPK-së për Banjskën”, Musa: Sulmet e tilla bëhen me qëllim të mbulimit të dështimit

Avokati, Skender Musa e ka cilësuar “ndërhyrje në sistemin e drejtësisë” deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për mungesë veprimesh nga prokuroria përkitazi me sulmet në veri e edhe atë të 24 shtatorit në Banjskë.

Në emisionin “FIVE” Musa ka theksuar se as ekzekutivi as ministria e drejtësisë nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët e institucioneve të pavarura kushtetuese.

“Ishin perzierje direkte e ekzekutivit në prokurori, kryeministri në këtë rast nuk ka të drejtë as të këshillojë as të urdhërojë të zbardhen hetimet, prokurorët sigurisht janë duke hetuar, por në fazën e hetimeve nuk ka ndonjë informacion. Jan[ të pakuptimta arsyet se pse e akuzon sistemin e prokurorisë, ka plot punë që janë në kompetencën e tij, as ministria e drejtësisë nuk ka të drejtë të merret me organet e hetuesisë”, ka thënë Musa.

Sipas Musës, sulmet e tilla siç i quan ai politike bëhen me qëllim mbulimin e dështimeve.

“Sulmet e tilla politike bëhen me qëllim mbulimin e dështimeve. Është fundi i kësaj qeverie dhe ende nuk ka filluar procesi i vettingut”, ka vijuar ai.

Ndryshe, të shtunën, Kurti kritikoi Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) duke thënë se as nuk ka njoftuar publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Kosovës.

“Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”, ka thënë ai.

E për këtë deklaratë ka pasur reagim edhe nga KPK.

Nëpërmjet një reagimi, KPK-ja i kërkoi kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Deklaratat e kryeministrit, ky Këshill i ka cilësuar si paraqitje publike të ricikluara që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe që bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta.