Kriza e madhe energjetike në Kosovë | Si ishte larguar nga Kosova për faj të Qeverisë Kurti investitori amerikan për ndërtimin e TC “Kosova e Re”?

“Ne do ta synojmë uljen e çmimit të energjisë, sepse tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji (qymyr) që e kemi. Shumë kemi kapacitet”, premtonte në vitin 2019, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti u bë kryeministër, por ai nuk bëri asgjë që kapacitetin (qymyrin) të cilin e ka Kosova ta shfrytëzonte, shkruan Demokracia.com.

Sot, kur qytetarët e paguajnë rrymën mbi 100% më shtrenjtë se në vitin 2019, premtimin e Kurtit e ka marrë era.

Madje, është shumë e çuditshme sesi njeriu që gjithmonë fliste për shtetet që duhet të forcojnë kapacitetet e veta, të dilte kundër një projekti madhor, siç ishte ai për ndërtimin e projektit Kosova e Re.

Kurti, në vitin 2019, në të njëjtën deklaratë kur premtonte se uljen e çmimit të energjisë, sepse është tepër shtrenjtë “kur rrimë mbi gjithë këtë energji (qymyr)”, kundërshtonte projektin për ndërtimin e termocentralit me qymyr “Kosova e Re”, të cilin planifikonte ta bënte kompania amerikane Contour Global.

Në fakt, projekti Kosova e Re do të siguronte pavarësi energjetike për Kosovës dhe zhvillim ekonomik, sepse do të hapte me mijëra vende të reja pune.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contur Global, ish-presidentit Hashim Thaçi, kishte thënë se jo vetëm që e stabilizon sektorin e energjisë, por i jep energji të re zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Kjo kontratë paraqet investimin më të madh privat në historinë e Kosovës dhe kontribuon në rritjen ekonomike. Për më tepër, kjo marrëveshje është edhe vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaronte Thaçi.

Këtë linjë zyrtare të institucioneve të Kosovës, nuk e ndoqi Kurti kur u bë kryeministër. Ai mbajti premtimin se ky projekt nuk do ta kishte mbështetjen e Qeverisë së tij.

“Unë nuk mund të them sot se sa do të ulet energjia elektrike, por e di që Contour Global nuk vjen në shprehje më. Ajo (kompania) do të na shtrenjtonte energjinë elektrike”, deklaronte Kurti në vitin 2019, duke i bërë qytetarët të frikësoheshin nga ideja e ndërtimit të projektit Kosova e Re.

Vetëm pak kohë pasi Kurti u bë kryeministër për herë të parë, kompania amerikane Contour Global kishte bërë të ditur se tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Sipas njoftimit të kompanisë amerikane arsyeja kryesore ka qenë edhe situata politike e krijuar në vend, në veçanti kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje në kohën sa ishte në opozitë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara. Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhej në njoftimin për medie të “Contour Global”.

Pavarësisht përfitimeve të Kosovës dhe fuqizimin e saj në rajon si fuqi energjetike, Kurti bëri realitet vetëm një pjesë të premtimit të tij se “Contour Global nuk do të vjen në shprehje”, kurse e bëri të kundërtën e pjesës tjetër të premtimit se “do ta ulim çmimin e energjisë, sepse është tepër shtrenjtë”.