Kriza me energji elektrike – Kur pritet të vijë eksperti gjerman për ta rregulluar turbinën në KEK?

Qytetarët në Kosovë, nga e mërkura e 22 dhjetorit, po përballen me reduktime të energjisë elektrike, për shkak të krizës energjetik. Këto reduktime u rikthyen pas shumë vitesh. Konsumatorët po kanë çdo ditë reduktime për 2 orë, derisa në disa qytete po zgjasin edhe më shumë se aq. Por, si erdhi deri te kjo situatë?

Dje në një konferencë për media, foli ministrja e Ekonomisë, Drejtori i KEK-ut dhe Kryeshefi i KOSTT-it, të cilë janë deklaruar për krizën energjetike në vend dhe kthimin e reduktimeve.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për faktorët që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe rajon.

Faktorin e parë që Rizvanolli ka përmendur, është rënia e bllokut dy. Ajo tha se si pasojë e rënies së këtij blloku, KEK-u nuk ka pasur mundësi të prodhojë më shumë rrymë.

“Sa më shumë që KEK-u mund të prodhojë energji, aq më pak ne si vend jemi të varur nga importi dhe çmimit e importit. Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit nga ana e KEK-ut për shkak të rënies së bllokut 2 i cili ende nuk është aktivizuar. Ky është një faktor”, ka thënë ajo.

Faktori i dytë i krizës energjetike, sipas ministres janë bursat ndërkombëtare dhe çmimet në këto bursa.

“Bursat ndërkombëtare dhe çmimet në bursat ndërkombëtare janë faktori numër dy.  Këto janë duke shënuar çmime rekorde pasi që temperaturat janë ulur dukshëm dhe do të thotë është rritur kërkesa. Si rrjedhojë e kësaj, nga ana tjetër oferta, prodhimi i energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur e veçanërisht ai i gazit. Kjo ka ndikuar që çdo ditë të shënohen çmime rekorde të energjisë elektrike”, ka thënë ajo.

Ministrja foli edhe për bllokimin e linjës energjetike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj edhe kjo ka ndikuar që Kosova të ketë krizë energjetike.

“Është edhe një faktor që për vendin tonë ndikon specifikisht negativisht. Ky është fakti se Serbia ka bllokuar linjën energjetike në mes nesh. Kjo nuk është diçka e re. Por në situata krize siç është kjo e përkeqëson edhe më tej situatën. Duke qenë se Serbia e pamundëson alokimin e kapaciteteve interektive në kufi me Kosovën kjo shkarton ngarkesa edhe në rrjetet e vendeve fqinje si në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Jemi edhe më të kufizuar që të blejmë energji, shpesh duke mos pasur zgjidhje pos të blejmë me çmime të larta”, ka thënë Rizvanolli.

“Faktori i katër që ka ndikuar posaçërisht këtyre ditëve, është se konsumi i energjisë është më i larti që është regjistruar ndonjëherë ne vendin tonë. Nga viti i kaluar në të njëjtën kohë ne jemi duke konsumuar dukshëm më shumë. Konsumi është rritur për 14 për qind për dy ditë, nga 19 dhjetori deri më 21 dhjetor ”, ka thënë ajo.

Rizvanolli është deklaruar edhe për ndarjen e 20 milionë eurove për të mbuluar koston e importit të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 20 milionë eurosh për të mbuluar vlerën e importit të energjisë, për të subvencionuar importin e energjisë për qytetarët, për konsumatorët e rregulluar është fjala. Përmes këtij veprimi, ne kemi mbrojtur qytetarët e Kosovës kur kriza është në pikën më të keqe”, ka thënë ajo.

Dje Qeveria njoftoi se ka marrë vendim që t’i kthejë dividendën prej 20 milionë euro KOSTT-it. Kjo sipas saj është bërë me qëllim  të ruajtjes së likuiditetit të ndërmarrjes dhe të sektorit.

“Ne mbledhjen e sotme ne kemi votuar për t’i kthyer KOSTT-it dividendën prej 20 milionë euro në mënyrë që të ruhet likuiditeti i ndërmarrjes dhe të ndihmohet likuiditeti i sektorit, vetëm për të mundësuar punimin e mirë të ndërmarrjes, pas kërkesës që është bërë nga KOSTT për Qeverinë e Kosovës për të rikthyer dividendë që është marrë gjatë rishikimit të buxhetit para disa muajsh”, deklaroi Rizvanolli.

Ndërsa drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi tha tha se njësia e dytë e bllokut Kosova B nuk pritet që të kthehet në funksion deri më 20 janar.

“Kosova B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze. Jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre dhe të dielën ai ekspert të jetë në KEK dhe do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve dhe ajo do ta tregojë edhe kohën e për kthimin e njësisë në punë.Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se importi i rrymës është shumë i shtrenjë në këtë periudhë dhe janë duke e importuar atë me mjetet që ka ndarë qeveria.

“Sa i përket prodhimit të qymyrit nuk kemi problem. Ne jemi duke e bërë edhe importin e energjisë nga mjetet që i ka ndarë qeveria për subvencionimin e rrymës dhe duhet ta dijmë se ky import do të jetë goxha i shtrejt në këtë periudhë dhe nuk është e sigurt që mund të mbërrijmë të sigurojmë sasi të mjaftueshme edhe në kuptim të çmimit shumë të lartë por edhe të sasisë së ofruar në treg”, tha Krasniqi.

Kur do të vijë eksperti gjerman?

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se eksperti gjerman që do të ndihmojë në rregullimin e turbinës në njësinë B2 të bllokut “Kosova B” do të vijë në Kosovë të dielën. Ardhjen e ekspertit gjerman e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti para 7 ditësh kur kishte vizituar KEK-un

“Jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre dhe të dielën ai ekspert të jetë në KEK dhe do të fillojmë me inspektimin e situatës ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve dhe ajo do ta tregojë edhe kohën për kthimin e njësisë në punë. Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi.