Veseli: Deklarata e senatorit Perdue, më shumë se serioze

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Qeveria aktuale po nxit debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshmëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.

Sipas Veselit, deklarata e senatorit republikan, David Perdue, për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze.

Postimi i plotë:

Në kohën kur mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është jetike dhe shumë e domosdoshme, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshmëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.

Deklarata e senatorit republikan, David Perdue, për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze.

Vënia në dyshm e rolit të SHBA-së nga qeveria “Kurti” dhe aleancës sonë të palëkundur me shtetin amerikan, është dëmi më i madh që një i zgjedhur politik i Kosovës, ka arritur t’ia bëjë shtetit tonë.

Vendosja e Kosovës në udhëkryq të rrezikshëm nacional, i ardhur jo nga ndonjë kërcënim i jashtëm, por nga aktet e pamenduara të vetë kryeministrit, është shenjë e keqe për vendin tonë.