“Kriza nuk kapërcehet me lëmoshë”, nga AAK i reagojnë Kurtit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas pakos ekonomike që u propozua sot nga Qeveria.

Sipas tyre, paqja sociale nuk blihet me 50 euro e as me 100 euro.

“Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli. Këto masa që sot janë propozua nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike”, thuhet në reagim.

Më tej AAK përmend edhe deklarimet e Kurti për komunat, duke thënë se është ofendimi më i madh që mund t’u bëhet atyre.

“Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës. Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre. Kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t’i ndërrojë”, vazhdon reagimi.

AAK-ja thotë se pakoja e prezantuar nga Kurti është mashtrim ordiner. Sipas tyre kriza nuk kapërcehet me lëmoshë.

“Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese. Paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro!”