Kriza politike/ Dorëhiqen kryebashkiakët, Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme! Ekspertët: Sistemi, në funksion të një njeriu

Një numër kryetarësh bashkish në Serbi dhanë dorëheqje në mënyrë të papritur, duke lënë të kuptohet se vendi po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja lokale që mund të mbahen së bashku me zgjedhjet parlamentare. Sipas mediave zgjedhjet mund të mbahen më 17 dhjetor, e përveç dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, pritet të japë dorëheqje edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.

Kjo është një lloj përgjigje ndaj një pjese të opozitës që i ka kërkuar zgjedhje të reja presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili ka paralajmëruar se do të mbahen në një ditë zgjedhjet parlamentare e lokale, si dhe ato për qytetin e Beogradit dhe disa komunave”. I pyetur nëse do të jetë bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe, Vuçiq është përgjigjur se kjo do të ishte nder dhe kënaqësi për të.

Sipas një analize të DW zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht thirren për zgjidhjen e ndonjë krize politike, por as me këto zgjedhje nuk do të zgjidhet asgjë në Serbi. Zoran Gavriloviç, nga Byroja e Kërkimeve Sociale tha se ky hap tregon se ne kemi një sistem zgjedhor që është në funksion të një partie dhe një personi”.

Ndërkaq edhe pse opozita në Serbi i shihte zgjedhjet si një lloj strategjie për dalje nga kriza, pas dështimit të protestave në rrugë në të gjithë Serbinë, nuk është saktësisht e qartë pse partia në pushtet dëshiron me kaq shpejtësi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme. Vetë opozita ende nuk ka hartuar ndonjë strategji apo taktikë për zgjedhjet dhe supozohet se në një hark kohor kaq të shkurtër nuk do të mund ta bëjë këtë siç duhet, analizojnë ekspertët.

Një nga kërkesat e opozitës që nuk po merret në konsideratë ishte edhe ndarja e zgjedhjeve në nivele të ndryshme, për të ulur sa më shumë ndikimin e vetë Vuçiqit si bartës i listës së SNS-së në zgjedhje, ku kërkohej që edhe zgjedhjet në Beograd të mbaheshin më vete. Nga ana tjetër, tema e kushteve zgjedhore pothuajse është zhdukur nga debati publik dhe me sa shihet, as opozita nuk insiston shumë për zgjidhjen e këtij problemi.