Kryeakademiku “pishmanli”| Kraja i largon akuzat e rënda nga “analiza” që e publikoi në emër të ASHAK-ut

Kritikat e shumta pas publikimit të analizës së kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja e kanë detyruar këtë të fundit që ta ndryshojë atë, të cilën duke e keqpërdorur ASHAK-un, e publikoi në emër të saj, shkruan Demokracia.com.

Kraja i gjendur në thumb të kritikës, u detyra të zmbrapset nga disa qëndrime të tij. Pas kritikave të shumta, Kraja e ka zbutur pak gjuhën duke i larguar akuzat nga teksti për uzurpim të pushtetit, përfshirje në krim të organizuar të përmasave të mëdha, etj.

Kraja e ka larguar nga analiza e tij edhe akuzën se partitë e dala nga lufta kishin krijuar një sistem që nuk do të mund të largoheshin nga pushteti në mënyrë demokratike.

Në versionin e parë të analizës, Kraja shkruan se sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë.

“Po ashtu tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e krijuar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore, të përfshihej në krim të organizuar dhe në korrupsion të përmasave të mëdha dhe të mos jepte asnjë shenjë se mund të largohej nga pushteti në mënyrë demokratike. Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri”, shkruante Kraja.

Me redaktimin e gjoja analizës së tij, fjalia e Krajës është shkurtuar duke bërë që të ndryshon edhe renditja në faqe e fjalive.

“Po ashtu, tashmë ishte krijuar bindja se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin  Gjykatën Speciale, synuan të përdorin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe mbi të gjitha të nxitnin opinionin kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe luftës për liri”, është fjalia e redaktuar e Krajës. /Demokracia.com/