Kryediplomati i Togos takohet me biznesmenin që përmendet si “sekser” për çnjohjen e Kosovës

Një ditë pasi biznesmeni serb Vladimir Cizelj u përmend si “sekser” për çnjohjen e Kosovës nga Togo, krydiplomati i Togos, Robert Dussey e ka takuar atë në Beograd.

Dussey ka njoftuar në Twitter për vizitën që ia ka bërë biznesmenit Cizelj dhe ka folur për një “pritje shumë të ngrohtë”.

“Vizitova Institutin e Kërkimeve Teknologjike Vlatacom në Beograd ku prita një pritje shumë të ngrohtë dhe një prezantim emocionues nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit, z. Vladimir CIZELJ dhe bashkëpunëtorët e tij”, shkroi Dussey.

Të martën, Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ish-kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se biznesmeni Vladimir Cizelj është “sekser i Vuçiqit dhe Daçiqit”.

“Drejtori i Kompanisë “Vlatacom Institute”, Vladimir Cizelj, sekseri i Vuçiqit dhe Daçiqit, i njohur për afera korruptive në shumë vende afrikane dhe me çështje gjyqësore në Botsvanë, është personi që vazhdon të shtroj tepihun e kuq për diplomacinë koruptive të Serbisë, që ka prekur edhe ministrin e Jashtëm të Togos, Robert Dussey”, ka shkruar Zyberaj.