Kryeministri Haradinaj takohet me kongresmenin Engel

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim Kongresistin Eliot Engel. Gjatë këtij takimi, Haradinaj i ka thënë Engelit se Kosova është për përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur mirënjohjen për siç ka thënë mikun e madh të shqiptarëve dhe për tërë mbështetjen e tij ndër vite.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Kongresisti Eliot Engel është memorie e gjithë rrugëtimit historik të Kosovës. Fat i madh për vendin që në gjithë këto vite, për të realizuar të drejtën tonë dhe për të arritur këtu ku jemi sot ne kishim një zë të fuqishëm përkrah.

I lumtur si në çdo rast tjetër, ta pres sot Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongres Amerikan, Eliot Engel dhe të ndajë me të të arriturat e vendit, sfidat dhe aspiratat tona. Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të, fqinjësi të mirë me vendet e rajonit dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Përjetë mirënjohës mikut të madh të shqiptarëve për tërë mbështetjen ndër vite! RH”