Kryeministri Hoti fton liderët politik në takim, a do të përgjiget ftesës opozita?

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, sot ka ftuar liderët e të gjitha partive politike për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kujtojmë Hoti njëjtë kishe vepruar edhe para një muaji – para nisjes për në Washington.

“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve.

Opozita që bojkotoi takimin e qershorit pritet që të mos marrë pjesë as në këtë takim, bëhet fjalë për dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kujtojmë se në takimin e qershorit morën pjesë vetëm AAK, Nisma, AKR si dhe disa prej partive të komuniteteve.

Po ashtu kryeministri Hoti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rreth kësaj teme të premten në ora 12:00.