Sqarohet ambasadori amerikan rreth polemikave me Abelard Tahirin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka sqaruar kritikat e tij për sistemin e drejtësisë. Një ditë pasi kishte kritikuar Ministrinë e Drejtësisë për lirimin e një të dënuari pas vetëm 13 muaj të vuajtjes së dënimit, Kosnett ka sqaruar në Twitter se në fakt vendimi ka qenë i Gjykatës së Apelit dhe jo i Ministrisë.

“SQARIM: Gjykata e Apelit e ka udhëzuar Ministrinë e Drejtësisë për të liruar një kriminel lufte të dënuar për 15 vjet në rastin e Kukesit; ai ka vuajtur më pak se 12 muaj në tri vitet e fundit. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen” ka shkruar Kosnett.

Por ambasadori amerikan nuk është mjaftuar me këtë sqarim. Në tekstin e dytë të postuar, Kosnett ka sqaruar se gjatë ditës së djeshme kishte gabuar se kush ishte përgjegjës për lirimin nga burgimi.

“Në verzionin origjinal ky tekst thoshte se Ministria e Drejtësisë kishte nënshkruar lirimin. Amandamentimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale bënë që ky vendim të merret nga gjykatësit. E vlerësoj mundësinë për të përmirësuar çfarë kam shkruar” ka shkruar Kosnett.

Në sqarimin e djeshëm të Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, kërkonte që gjeneruesit e lajmit ashtu si edhe ambasadori amerikan të kenë referencë të saktë ligjore, meqë Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person, por vetëm menaxhimin me Qendrat Korrektuese, të cilat zbatojnë vendimet gjyqësore.