Kryeministri Hoti: Për dialogun me Serbinë i çova ftesë Albin Kurtit

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u shpreh gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se në çështjet e dialogut me Serbinë, po përpiqet të përfshijë gjithë palët politike. Ndërsa është krijuar edhe një zyrë për këtë qëllim. Hoti tha se i ka çuar ftesë edhe Albin Kurtit, po Vetëvendosja zyrtarisht ka refuzuar të marr pjesë në takim.

“I kam çuar ftesa zyrtare Albin Kurtit. Kam marrë një përgjigje publike nga VV që kanë refuzuar të vijnë në takim. Nga PDK nuk kemi përgjigje të prerë, por do të shohim në vijim”, tha Hoti.

Ndërkohë, lidhur me akuzat e bëra nga Prokuroria Speciale për liderët e UÇK-së, Hoti tha:

“Reagimin e kemi dhënë ditën e parë. Besoj si klasë politike kemi kaluar nëpër procese të tilla edhe më herët dhe besoj që kemi treguar një maturi. Qëndrimi që e kemi ndërtuar ne që besoj është pranuar edhe nga qytetarët dhe nga ndërkombëtarët është që nuk po gjykohet lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi pasi ajo është vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që i ka dhënë popullit të Kosovës lirinë. Ne mbesim në qëndrimin që është principi bazik i drejtësisë që dikush është i pafajshëm derisa nuk ka një vendim të formës së prerë. Duhet të jemi të përgjegjshëm për të respektuar obligimet kushtetuese që kemi si shtet, si institucione dhe obligimet ndërkombëtare. Nuk e di se çfarë ndodh në organet e drejtësisë. Ato që di dhe ato që mbroj është që UÇK nuk është gjykuar dhe nuk do të gjykohet asnjëherë”./Opinion.al