Kryeministrit i ulet rroga për 800 euro

0
511

Ishte data 21 dhjetor kur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një vendimi ia kishte dyfishuar vetes pagën prej 1 mijë e 500 euro sa e kishte në 2 mijë e 950 euro, shkruan Gazeta Blic.

Bashkë me pagën e tij, kryeministri përmes këtij vendimi pagën ua kishte ngritur edhe zëvendëskryeministrave të tij. Përmes kësaj ngritjeje, Haradinaj me pagë bruto ia kalonte edhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Mirëpo, në një propozim të ri, të cilin Gazeta Blic e posedon, kryeministri i vendit do të detyrohet që t’ia ulë pagën vetes. Kjo ulje do të bëhet me rastin e votimit të Projektligjit për pagat i cili pritet të votohet në fund të këtij muaji.

Haradinaj i cili gjendet në të njëjtën klasë, A2, me kryetarin e Kuvendit si dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese që koeficientin e pagës kishin 10, tashmë do të kenë zbritje për një shkallë. Koeficienti i tyre, sipas këtij propozimi të ri, do të jetë 9-të.

Duke parë këtë, nga sa kishte pagën kryeministri prej 2 mijë e 950 euro bruto, paga e tij do të pësojë rënie për 799 euro.

E gjithë kjo pasi kryeministri së bashku me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e gjykatës Kushtetuese tashmë do të kenë pagë prej 2 mijë e 151 eurosh.