Kryeredaktori i Kohës Ditore i reagon Grenellit: “Pa një qeveri të duhur, s’mund të ketë progres në dialog apo ekonomi”

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, në një postim në rrjetin social Twitter, duke iu referuar qëndrimit të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell në Kosovë, ka shkruar se asnjë përparim në dialog e ekonomi nuk mund të bëhet pa pasur qeveri të re në Kosovë, duke shtuar se bisedimet për koalicion janë çështja kryesore, raporton Koha.net.

“Pra, Ambasadori Grenell është në Prishtinë, jo për të ndërhyrë në bisedimet e koalicionit, por për të bërë presion për dialogun dhe ekonominë mes Kosovës e Serbisë. Por, pa një qeveri të duhur, s’mund të ketë progres në dialog apo ekonomi. Prandaj, bisedimet për koalicion janë çështja kryesore këtu…”, ka shkruar ai.

Sot gjatë ditës, Grenell pritet të takohet me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e cila së bashku me VV-në, prej disa muajsh nuk po arrijnë në një marrëveshje koalicioni për qeverisje.

Deri tashti nuk është paralajmëruar ndonjë takim i Grenellit me liderin e VV-së, Albin Kurti.

Grenell një ditë më parë, pas një darke pune me presidentin Hashim Thaçi kërkoi heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë.

“Duhet të bëjmë progres – i cili përfshin heqjen e tarifave”, ka shkruar Grenell në një postim të Thaçit në Twitter.